Shqiptari vret vëllanë dhe më pas i vë flakën për t’i marrë paratë që kishte sjellë nga Zvicra

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton sot është arrestuar dhe më pas ndaluar personi G.K. nga Bërnjaku i Rahovecit, nën dyshimet se ka vrarë vëllain e tij, B.K. i cili pasi kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, fillimisht ishte paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij që nga data 14.02.2020.

Pas veprimeve hetimore nga ana e Prokurorisë dhe Policisë, dyshohet se personi G.K. e ka vrarë dhe më pastaj e ka djegur trupin e të ndjerit B.K., ku në vendin e ngjarjes janë evidentuar disa kocka njeriu.

Po ashtu, pas një pune operative është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe një gëzhoje e cila pas ekzaminimit të forenzikës është vërtetuar së është shkrepur nga arma e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit në polici, ku prezent ka qenë edhe prokurori i rastit, i dyshuari G.K. e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet, duke përshkruar në hollësi mënyrën se si ka vepruar në ditën kritike.

Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprave penale vrasja e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe ndaj tij, brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit nga gjykata kompetente në Gjakovë.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë rreth ngjarjes së rëndë në Rahovec, ku një person ka vrarë dhe djegur vëllain.

Personi i arrestuar me urdhër të prokurorit të shtetit mbahet në ndalim policor.

Kjo është komunikata e plotë e PK-së:

Me datë 27.02.2020 ne ora 14:10 në stacionin  policor ne Rahovec është raportuar një rast person i zhdukur.

Ankuesja femër / kosovare/ shqiptar ka raportuar se bashkëshorti i saj mashkull / kosovar / shqiptar i moshës 64 vjeçar ishte zhdukur që nga data 11.02.2020.

Rasti fillimisht është iniciuar në stacionin policor në Rahovec ndërsa për shkak të peshës së veprës dhe ndjeshmërisë, rasti ka kaluar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë me datë 13.03.2020.

Pas një pune intensive operative hetimore hetuesit rajonal në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e çështjes kanë arritur të ndriçojnë rrethanat e rastit, kanë identifikuar  personin e dyshuar G . K, mashkull / kosovar/ shqiptar i lindur në vitin 1961,  si kryes i mundshëm i veprës penale ,,Vrasje e rëndë”.

Sot me datë 09.04.2020 është arrestuar personi në fjalë i cili është familjar i viktimës. Trupi i pajetë dyshohet se është djegur nga i dyshuari, policia ka gjetur vetëm disa mbetje në vendin e ngjarjes.

Poashtu në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave të cilat dyshohet se i dyshuari i ka përvetësuar nga viktima pas kryerjes së veprës, poashtu nga i dyshuari  janë konfiskuar edhe dy armë të mbajtura pa leje dhe municion të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Personi i arrestuar me urdhër të prokurorit të shtetit mbahet në ndalim policor.