Besuch Bundeskanzlerin Angela Merkel im Rathaus Köln

15 shoqata nga diaspora letër Merkelit

I kërkojnë mbështetje Gjermanisë 15 shoqata nga diaspora në Gjermani i janë drejtuar me një letër kancelares gjermane, Angela Merkel, për situatën aktuale në Kosovë me koronavirus. Në letrën e tyre, ato kërkojnë mbështetje nga Gjermania për Kosovën për tu përballur me sukses gjendjen aktuale me koronavirus si dhe siç thuhet në letër, për tejkalimin e gjendjes së tensionuar politike në Kosovë. “Republika e Kosovës këto ditë përveç me luftimin e pandemisë Covid-19 është duke u përballur, fatkeqësisht edhe me mosmarrëveshje të thella politike. Përderisa Qeveria në detyrë dhe qytetarët përmes masave të hershme dhe duke ndjekur rreptësisht të gjitha udhëzimet e OBSH-së kanë ngadalësuar shpërthimin e pandemisë, një pjesë të forcave politike janë bërë së bashku për të shprehur mosbesimin e tyre ndaj Qeverisë. Vetëm për pak javë në detyrë Qeveria ishte në gjendje të ndërmarrë hapa të rëndësishëm të reformës. Për më tepër, si shenjë e vullnetit të mirë, Qeveria hoqi plotësisht tarifat për mallrat nga Serbia, të vëna nga qeveria e mëparshme, në mënyrë që të hyjë sa më shpejt në një dialog me Serbinë dhe të bëhet e mundur gjetja e një zgjidhjeje të përhershme. Ministrat e të dyja partive politike punojnë tutje së bashku dhe në mënyrë konstruktive. Mocioni i mosbesimit nuk u mbështet nga shumica e ministrave dhe as nga Kryetarja e Kuvendit.”, thuhet ndër tjerash në letrën e tyre. Në letrën e shoqatave drejtuar Merkelit thuhet “druhen se zanafilla e këtyre mosmarrëveshjeje është në bisedimet në mes të Presidentit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë për një shkëmbim territori në mes të Kosovës dhe Serbisë si një Zgjidhje me baza etnike”. “Ky është një plan që shkel parimet mbi të cilat qëndrojnë dhe ndërtohen shtetet demokratike dhe Bashkimi Evropian. Integriteti territorial dhe funksionaliteti shtetëror i Kosovës nuk guxon të bëhen top loje për luftërat e brendshme politike për pushtet. Tani është me rëndësi që prioritet për Qeverinë në detyrë të mbetet pengimi i përhapjes së pandemisë, pastaj të kalohet tek Zgjedhjet e reja në baza kushtetuese.”, thuhet në letrën dërguar Merkelit.