Mbledhja e bordit të Telekomit u anulua për arsye teknike dhe prezencës së policisë

Telekomi sqaroi se forcat policore nuk kanë pasur asnjë lidhje me mbledhjen e sotme Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës njoftoi se kishte planifikuar të mbante një mbledhje gjatë ditës por e kishte anuluar për arsye teknike si dhe për shkak të forcave policore të pranishme rreth objektit të Postës së Kosovës, hapësirat e të cilit i shfrytëzon edhe Telekomi. Sipas njoftmit, thuhet fillimisht ka pasur probleme teknike që ka pamundësuar fillimin e mbledhjes me video konferencë për anëtarët të cilët kanë kufizime të lëvizjes për shkak të COVID-19. Ndërsa, duke tentuar t’i rregullojnë këto probleme teknike, anëtarët e bordit janë informuar për forcat policore që gjendeshin jashtë objektit dhe në atë moment pa hezitim kanë vendosur për anulimin e mbledhjes së rregullt të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve. Megjithatë, Telekomi sqaroi se forcat policore nuk kanë pasur asnjë lidhje me mbledhjen e sotme të bordit ose të ndonjë aktiviteti brenda Telekomit të Kosovës. “Menjëherë kemi kërkuar sqarim nga ministria e linjës dhe jemi informuar se forcat policore kanë qenë për Postën e Kosovës, fatkeqësisht kjo është keqkuptuar nga opinioni publik, marr parasysh që Telekomi i Kosovës i shfrytëzon me qira hapësirat e Postës së Kosovës”, thuhet ne komunikatë. Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve siguron opinionin dhe çdo punonjës se puna e tyre do të vazhdojë.