Challandes: Ndeshja ndaj Maqedonisë së Veriut, ideale të luhet në dhjetor

Ndeshja e plejofit të Ligës së Kombeve në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është shtyrë dy herë shkaku i pandemisë COVID-19.

Është thënë se mund të zhvillohet në një prej muajve të fundvitit – shtator, tetor apo nëntor. Por, për përzgjedhësin e përfaqësueses së Kosovës, zviceranin Bernard Challandes, ndeshja kundër Maqedonisë së Veriut do të ishte ideale të zhvillohej në dhjetor.

Ka thënë se ekipi tij do të ishte më i përgatitur për ta zhvilluar ndeshjen në dhjetor. Muajin dhjetor e ka përsëritur disa herë gjatë intervistës.

“Mendoj se mundësia për t’u luajtur, shpresoj të jetë në dhjetor, është situatë e mirë për ne, pasi mund ta përgatisim më mirë ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut. Do të jenë edhe gjashtë ndeshje të Ligës së Kombeve, në shtator, tetor dhe nëntor. Dhe, për ne është një mundësi e mirë për t’u përgatitur, mendoj se mund të jemi më të përgatitur për dhjetor se tani”, ka thënë Challandes.