Kjaer shpreson të mbetet te Milani

Mbrojtësi danez Simon Kjaer shpreson që të qëndrojë gjatë te Milani. Ai ka treguar se si trajneri Stefano Pioli i ka dhënë besim atij dhe ka përgëzuar ndikimin e Zlatan Ibrahimoviqit në klub.

Kjaer u huazua te Milani në janar nga Sevilla, ndërsa klubi italian ka mundësinë për të bërë transferimin e plotë në verë. Ai u stabilizua shpejt te Milani.

“Ëndrra ime është të qëndrojë te Milani dhe kur të vijë koha do të flasim për këtë me klubin. Duhet të jap më të mirën që të bind klubin të shfrytëzojë opsionin për të më transferuar. Unë ende po punoj për të qëndruar te Milani, edhe pse nuk po luajmë. Po mundohem të përmirësohem, jo vetëm fizikisht, por edhe mentalisht”, ka thënë Kjaer.

Pas një huazimi të pasuksesshëm te Atalanta, Kjaer e gjeti veten te Milani. Ai thotë se te Atalanta problem ishte taktik.

“Unë nuk kam pse të dëshmoj veten. Unë gjithmonë kam qenë shumë profesionist. Trajneri Gian Piero Gasperini ishte i qartë me mu ate Atalanta, problemi ishte taktik. Pioli më ka dhënë menjëherë besim. Foli shumë me mua. Ai më pyeti se ku ndjehem më komod të luaj dhe me një trajner të tillë është gjithmonë e lehtë të punosh”, ka shtuar Kjaer, që po ashtu ka përgëzuar ndikimin e Ibrahimoviqit te klubi. “Zlatani na jep shumë, ai është kampion i madh dhe ka fituar gati çdo gjë. Prezenca e tij, qoftë edhe jashtë fushe, është e mjaftueshme për të bërë dallimin”.