Koronavirusi javën e ardhshme hyn në fazën kulminante – masat më rigoroze pas 2-3 ditësh

Vitia tha se sonte në mesnatë hyjnë në fuqi vendimet që kanë qenë të njëjtat me ato deri më tash Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia sonte paralajmëroi se gjendja me COVID-19 gjatë javës së ardhshme në Kosovë do të hyjë në fazën kulminante të saj. Ai në një konferencë për media bëri të ditur se nga sonte në mesnatë vendimet hyjnë në fuqi, të cilat janë të njëjta me ato që kanë qenë deri më tash. “Falë masave të ndërmarra kemi arritur të kemi një situatë më të kontrolluar në raport me numrin e të sëmurëve, por kjo nuk mjafton. Çdo lëshim i vogël mund të na kushtojë shumë dhe jemi në situatë nuk mund ta tolerojmë neglizhencën dhe duhet koordinim i masave së bashku me qytetarët për parandalimin e mëtejshëm. Sonte në mesnatë hyjnë në fuqi vendimet që kanë qenë të njëjtat me ato deri më tash. Këto masa do të jenë në fuqi deri në vendimin e radhës dhe presim që masat më rigoroze, pas konsultimit të grupeve teknike, do të bëhen pu blike dhe do të hyjnë në fuqi brenda 2-3 ditësh. Në orët e pasdites pas disa takimeve, kemi marrë rekomandime për shtrëngim të masave. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të respektojnë masat”, tha ministri Vitia. Vitia deklaroi se IKSHP ka bërë të ditur se një pjesë e madhe e masave nuk po respektohen në përpikëri, dhe për këtë është kërkuar që të shtohen masat rigoroze. Për këtë, ai tha se IKSHP nëse jep rekomandime, atëherë do të veprojnë për secilën komunë veç e veç. Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se situata emergjente shëndetësore që ka prekur krejt botën, ua ka dhënë hapësirë që të marrin masa para se të fillojnë të mbledhin trupat e të vdekurve. “Këto masa na kanë kushtuar, e dini aktgjykimin e Kushtetueses që na ka lënë kohë deri nesër që të jetë në fuqi. Gjykata asnjëherë nuk ka kontestuar legjitimitetin, por ka konstatuar se ato mund t’i marrë MSH dhe jo në të gjitha komunat. Prej sonte marrja e vendimeve do të bëhet nga MSH në bashkëpunim me linjat dhe varësisht nga nevojat e komunave”, u shpreh ai. Ndryshe, në Kosovë nga koronavirusi kanë vdekur 7 persona, 283 janë të infektuar, ndërsa, 58 janë shëruar.