LDK-ja vendos të martën për koalicion me AAK-në, Nismën dhe komunitetet

Lidhja Demokratike do të vendosë deri të martën, për koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, dhe me partitë që përfaqësojnë komunitetet në Kuvend. Anëtarëve të Këshillit Drejtues të kësaj partie u është kërkuar të vendosin për këtë, nëpërmjet votës nëpërmjet e-mailit.

Është kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ai që nga anëtarët e këtij organi të LDK-së, ka kërkuar që të deklarohen për një koalicion të këtillë, pavarësisht se nuk ka një procedurë që i ofron mundësinë këtij subjekti politik për ta formuar Qeverinë e re, pas mocionit të mosbesimit.

“Në mbledhjen e Këshillit Drejtues vitin e kaluar, në të cilën kemi diskutuar për koalicionet qeverisëse, kishim preferuar të bëhen përpjekje për koalicion pas zgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Këshilli u shpreh kundër një koalicioni LDK-PDK. Nuk ishte shprehur kundër koalicionit me AAK dhe me Nismën si dhe me partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë”, thuhet në letrën e Mustafës, adresuar anëtarëve të Këshillit Drejtues. “Meqenëse situata ka ndryshuar, kemi nevojë të përcaktohemi për koalicion të ri, në kushtet kur mbi bazën e kritereve kushtetuese do t’i ofrohej LDK-së ta bëjë shumicën për ta themeluar qeverinë”.

Mustafa ka shkruar aty se Qeveria e ardhshme do të ketë si objektivë kryesore: përballjen e menjëhershme me pandeminë e COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e kësaj pandemie, përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, si dhe krahas këtyre objektivave edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, raporton KOHA.

Kriter i Qeverisë së re, sipas tij, për LDK do të jetë që asnjë anëtar i Qeverisë të mos ketë pasur dhe të mos ketë problem me ligjin, të kenë zotësi profesionale dhe të vlerësohen të pranueshëm nga qytetarët.

“Prandaj, në pamundësi që të takohemi për shkak të situatës së krijuar nga pandemia me COVID-19, kërkoj që të deklaroheni përmes e-mailit me sa vijon: A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE dhe komunitetet”, thuhet në letër. “Përgjigja: PO ose JO. Ju lutem që të përgjigjeni përmes emailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00”.

Në krye të letrës është theksuar se më 25 mars të këtij viti, me iniciativën e LDK-së, Kuvendi me 82 vota për dhe 32 vota kundër, miratoi mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Nga Grupi Parlamentar i LDK-së, mocionin e votuan 24 deputetë, 3 votuan kundër dhe një deputet nuk mori pjesë në mbledhje.

“Mocionit i parapriu mosmarrëveshja lidhur me heqjen e tarifës, që shkaktoi rrezikim të raporteve me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shkarkimi arbitrar, me sjellje poshtëruese dhe denigruese ndaj LDK-së si partnere e koalicionit, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu, nga pozita e Ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike”, thuhet në letër. “Pas mocionit të mosbesimit, Kryeministri në detyrë, z. Kurti, pa asnjë njoftim dhe paralajmërim shkarkoi nga detyra Zëvendëskryeministrin e parë, z. Avdullah Hoti. Me gjithë këto veprime, për shkak të gjendjes me COVID-19 jam deklaruar se nuk do t’i tërheqim ministrat e tjerë nga Qeveria në detyrë dhe se bashkëpunimi me ta mbetet vullnet i Kryeministrit në detyrë, z. Kurti”.