Transferim rekord për Werderin dhe ndër më të shtrenjtët në histori të Bundesligës, zbulohet çmimi që Leipzig do të paguajë për Rashicën

Milot Rashica duket se do të largohet nga Werder Bremen, por do të mbetet edhe më tej në Bundesliga.

E ardhmja e anësorit kosovar është në RB Leipzig, skuadër e cila duket se ka arritur marrëveshje me Werderin për transferimin e vushtrriasit.

Mediumi gjerman ‘Weser-Kurier’ është thirrur në burime brenda Werderit duke thënë se marrëveshja tanimë veçse është arritur.

Leipzig ka vendosur të hap thesin për yllin e Kosovës, duke paguar edhe më shumë se klauzola e tij.

Werder i kishte vendosur klauzolë Rashicës prej 38 milionë eurove, por kjo vlente vetëm për skuadrat jashtë kufijve të Gjermanisë.

Dy klubet kanë arritur marrëveshje për transferimin e Rashicës në Leipzig për 40 milionë euro, ku bardhekuqtë besohet se kanë paguar dy milionë euro më shumë se klauzola e lojtarit.

Me zyrtarizimin e këtij transferimi, Rashica do të futet në histori të Werderit si lojtari më i shtrenjtë në histori të klubit që është shitur.

23-vjeçari do të bëhet edhe futbollisti i katërt më i shtrenjtë në histori të Bundesligës, pasi më parë vetëm Lucas Hernandez (80 mln), Julian Draxler (43 mln), Correntin Tolisso (41,5 mln) janë blerë më shtrenjtë se Rashica nga klubet gjermane.

Reprezentuesi kosovar ka pasur paraqitje fantastike në dy vitet e fundit me Werderin, ku në 64 ndeshje të deritanishme ka shënuar 23 gola dhe ka bërë 11 asistime.