Nuk respektuan masat kundër Covid-19, arrestohen 8 persona në Kosovë

Tetë persona janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit dhe 27 janë shoqëruar në stacionin policor për të vazhduar në procedurë të rregullt, pasi nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e koronavirusit.

Sipas Policisë së Kosovës, dy persona janë arrestuar në Gjilan, pasi të njëjtit nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë, për kohën e lëvizjes. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Një persin është arrestuar në Pejë, i cili nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë duke mbajtur të hapur lokalin e tij. Nga inspektorët komunal lokali është mbyllur. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Një person tjetër është arrestuar në Istog, i cili nga njësiti policor është hasur duke mos e respektuar vendimin e Qeverisë duke i shërbyer pesë të dyshuar tjerë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse ndaj të dyshuarve tjerë është iniciuar lënda e rastit dhe të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

Kurse, në Klinë janë arrestuar tre të dyshuar të cilët nga njësiti policor ishin ndaluar, derisa kishin qenë duke lëvizur me veturë, duke mos respektuar kështu vendimin e Qeverisë për kohën e lëvizjes. Në konsultim me prokurorin, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

E në Mitrovicë është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, pasi i njëjti nuk ka respektuar vendimin e qeverisë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa, 5 persona janë shoqëruar në stacion policor në Prishtinë, 17 në Prizren, 5 në Suharekë, pasi të njëjtit nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.