VIDEO: Vëllait të Hashim Thaçit i hapet rast në Polici

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj shpjegoi se personat të cilët kanë qenë të përfshirë në një aktivitet javën e kaluar ku janë parë edhe pjesëtarë policor, kanë raste të hapura për mosrespektim të masave të vendosura për parandalim të përhapjes së coronavirus.

Komandanti i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri, U. D i Drejtorit të Burgut të Dyzit, Burim Buleshkaj janë suspenduar nga detyrat e tyre për shkak se javën e kaluar sipas një fotografie të publikuar në rrjete sociale janë parë deri sa merrnin pjesë në një aktivitet së bashku me vëllain e Presidentit Hashim Thaçi.

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj shpjegoi suspendimin e Gërgurit duke shpjeguar se rasti është dërguar në IPK për hetim të mëtutjeshëm.

“Po fatkeqsisht e kemi pasur një rast të tillë, unë si drejtor e kam me mandat që të suspendoj koelgët të cilët kanë qenë në atë vend dhe më pas rasti është përcjellur në IPK dhe po ashtu drejtoria rajonale e Mitrovicës së Jugut kanë hapur rast ndaj personave që kanë qenë të përfshirë aty”, tha Qalaj.

Gjithashtu Qalaj shtoi edhe se nëntë polic janë  infektuar me coronavirus ndërsa një është shëruar.

“Fatkeqsisht, është normale se policia ka qenë e angazhuar në shumë aktivitete dhe policët tanë kanë qenë në vijën e parë me qytetarët dhe si pasojë e kësaj kemi 9 polic që janë të infektuar me coronavirus, një polic është shëruar dhe është dërguar në vetëizolim ndërsa të tjerët janë duke u trajtuar nga institucionet shëndetësore”, tha Qalaj.
Drejtori Qalaj dha edhe detaje për policët e vetizoluar.

“Kemi pasur një numër mjaft të madh të policve që janë detyruar të hyjnë në izolim. Një numër i tyre kanë hyrë në vetizolim sepse në momentin kur ka filluar të përhapet virusi kanë qenë jashtë shtetit nëpër trajnime apo udhëtime zyrtare ndërsa një numër tjetër për shkak të kontakteve që kanë pasur janë udhëzuar që të qëndrojnë në izolim.  Numri zyrtar i policve që kanë qendruar në vetizolim janë 203 prej tyre 144 janë liruar ndërsa në vetizolim janë ende 59”, tha ai.

Në emisionin e sotëm u trajtua çështja e dosjeve të policisë dhe rasteve të hapura për personat të cilët kanë shkelur masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Pasi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar se masat për ndalim të qarkullimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve është në kundërshtim me kushtetutën, dosjet e personave të arrestuar gjatë kësaj kohe do të hudhen dhe nuk do të ndiqen penalisht.