Kurti: Po përgatitemi të lehtësojmë masat dhe të hapim gradualisht ekonominë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot ishte pjesë e panelit diskutues të seminarit virtual “Peace Talks Webinar” të organizuar nga Federata e Paqes Universale (Universal Peace Federation). Tema, e cila u diskutua në prani të një audience prej rreth 500 personave ishte roli i parlamentarizmit në adresimin e krizës së shkaktuar nga virusi Corona. Kryeministri në detyrë Kurti foli për situatën aktuale në Kosovë pas përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe masat që Qeveria e tij ka ndërmarrë që para se të kishte një rast të konfirmuar, me qëllim parandalimin sa më të hershëm të përhapjes virusit Corona. Pavarësisht mocionit të mos-besimit nga Parlamenti i Kosovës, Qeveria në detyrë e ka prioritizuar luftimin dhe menaxhimin e COVID-19. Si rezultat i masave të duhura dhe menaxhimit të mirë nga institucionet përgjegjëse, por edhe vetëdijes dhe respektimit të masave dhe udhëzimeve nga qytetarët e Republikës së Kosovës, Kurti shtoi se “po përgatitemi që me kujdes të shtuar të lehtësojmë disa nga masat e vëna dhe të hapim gradualisht ekonominë.” “Sikurse shëndetit publik, rëndësi të veçantë i kemi dhënë edhe ekonomisë së vendit. Për atë jemi duke u kujdesur gjatë kohës së pandemisë nëpërmjet një pako emergjente fiskale me vlerë 190 milionë euro, derisa për rimëkëmbjen e saj do të hartojmë dhe zbatojmë një pako tjetër të veçantë.”, citohet se u shpreh Kurti, njoftoi zyra e Kryemistrit në detyrë. Kurti shprehu falënderimin e tij për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diasporën për ndihmën e tyre financiare në ballafaqimin me COVID-19. Në mesin e panelistëve të tjerë ishin përfaqësues politikë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Filipinet, India, Korea e Jugut dhe Nikaragua.