Haradinaj: Dogana e Kosovës një nga institucionet më kredibile

Dogana e Kosovë është një nga institucionet më kredibile të akumulimit të të hyrave shtetërore.

Ai këto komente i bëri pas takimit me drejtorin e Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.

Haradinaj me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se Dogana e Kosovës ka mbledhur mbi 65 për qind e të hyrave buxhetore, në të njëjtën kohë ai ka kërkuar nga ky institucion edhe rritjen e parametrave për të hyra dhe për luftimin e informalitetit.

“Një nga institucionet më kredibile të akumulimit të të hyrave shtetërore, me rreth 65 për qind të buxhetit në total, dhe mekanizëm që ndërlidhë tërë tregtinë e vendit, Dogana e Kosovës, më përgjegjësi të shtuar po e kryen misionin e vet kushtetues dhe ligjor. Sot, në takim pune, së bashku me ministrin Bedri Hamza, drejtorin Bahri Berisha dhe zyrtarët tjerë doganorë biseduam për dinamizimin dhe modernizimin e vazhdueshëm të Doganës. Qeveria e vendit do ta mbështes Doganën e Kosovës, që t’u përgjigjet sfidave të reja, mbrojtjes së ekonomisë si komponentë e rëndësishme e sigurisë nacionale, përfshirë luftimin e evazionit fiskal dhe informalitetit”, ka shkruar Haradinaj.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, theksoi se e ka njoftuar kryeministrin për punën e doganës në fushën e të hyrave, luftës kundër ekonomisë infomale dhe kontrabandës.

Ai ka thënë se Dogana e Kosovës që nga themelimi ka arritur të inkasojë mbi 13 miliardë euro.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se dogana është një prej institucioneve më të rëndësishme për inkasimin e të hyrave.

“Sot ne këtu i garantuam drejtorit për një përkrahje maksimale për kushte të punës dhe në luftimin e informalitetit”, tha Hamza. /Telegrafi/