Vetëvendosja akuzon Veselin se po e mban “të bllokuar” raportin për marrëveshjet e Brukselit

Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se kryeparlamentari, Kadri Veseli po e mban “të bllokuar”, Raportin e qeverisë për Marrëveshjet e Brukselit. Në një postim në rrjetin social Facebook, partia e Albin Kurtit shkruan se sot janë bërë gjashtë muaj që kur ky raport kishte arritur në duart e deputetëve. “Gjashtë muaj u bënë sot prej kur Raporti i Qeverisë së Kosovës mbi Arritjet dhe Sfidat në Zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit arriti në kutitë e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ishte data 9 korrik 2018 ajo ditë kur raporti qeveritar me 41 faqe mbi 33 marrëveshjet e dialogut me Serbinë përgjatë viteve 2011-2017 iu dorëzua përfaqësuesve të popullit”, thuhet fillimisht në postim. Sipas Vetëvendosjes, Veseli “qëllimisht nuk po e fut në agjendë të Kuvendit këtë raport”. “Mirëpo, plot gjysëm viti më vonë, edhe sot e kësaj dite, ky Raport ngelet i bllokuar. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk e fut në agjendë parlamentare dhe nuk e sjell në seancë plenare për shqyrtim siç bëhet zakonisht me Raportet e Qeverisë. Kjo është e qëllimshme, dhe qëllimi nuk është i mirë. Përkundrazi”, përfundon postimi i Vetëvendosjes në Facebook.