Berisha: Vlerësoj qëndrimin e Bushatit për kufijtë e Kosovës, Cakaj vjen në këtë post sepse mbështet ndarjen

Ish- presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një intervistë për televizionin Ora News ka vlerësuar ish-Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, në raport me temën e kufijve të Kosovës.

Ai tha se Ditmir Bushati ka qenë katastrofal për sa i përket marrëveshjes me Greqinë, por sipas Berishës shefi i diplomacisë “ka mbajtur qëndrim konkret për sa i përket mos ndryshimit të kufijve të Kosovës”.

Berisha ka hedhur më tej një varg akuzash ndaj Bushatit, por përsëri ka përsëritur se në raport me kufijtë ky i fundit ka vepruar me instinkt politik.

“…Një Ministër i Jashtëm që ishte i lidhur me bandat nuk kishte vendin në ministri të Jashtme, por te bandat. Por, kjo nuk më pengon të them, që ai në çështjen e ndryshimit të kufijve [të Kosovës] pati instinktin politik për t’iu kundërvu haptaz”.

Për personin e propozuar në krye të diplomacisë, Gent Cakajn, Berisha tha se ai “vihet në këtë post se është mbështetës i ndarjes së Kosovës”./Telegrafi/