Meta: Vetëvendosja si forcë kryesore politike, të luajë rol të rëndësishëm për forcimin e shtetit të Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në Tiranë liderin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtin dhe nënkryetarin e këtij subjekti politik, Liburn Aliun. 

Presidenti Meta ka thënë se tema kryesore e takimit ishte bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë, në interes të përbashkët dhe të forcimit të perspektivës evropiane jo vetëm të Shqipërisë e të Kosovës.

“Kënaqësi e veçantë të prisja sot në mbrëmje në një takim të veçantë Liderin e Vetëvendosjes, z.Albin Kurti”, ka shkruar Meta në Facebook.

“Forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona në interes të përbashkët dhe të forcimit të perspektivës europiane jo vetëm të Shqipërisë e të Kosovës, por të gjithë rajonit tonë ishte temë kryesore”, tha ai.

“Në këtë drejtim theksova rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi që t’i shërbejë të ardhmes europiane të të dy vendeve dhe konsolidimit të bashkëjetesës e paqes në rajon. Vlerësova se Vetëvendosja si forcë kryesore politike duhet të luajë rol të rëndësishëm për forcimin e shtetit të Kosovës dhe arritjen e konsensusit të plotë për një dialog të suksesshëm dhe të qëndrueshëm me Serbinë”, shkruan Meta. /Telegrafi/